Vargu i Ditës: "Dhe Jezusi u tha atyre: ''Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje." Gjoni 6:35
Ky është premtim shumë i madh dhe në dukje abstrakt sepse flet për plotësimin e nevojës jetike siç është uria dhe etja dhe për më tepër kjo gjë do të jetë e përhershme sepse në fund të vargut është fjala "kurrë". Si thua?
Ndoshta ndihesh pak konfuz dhe po të lexosh historinë në Bibël gjithashtu do të shohësh se edhe të tjerët janë shumë konfuzë. Si do të ndiheshe ti nëse do e dëgjoje këtë gjë për herë të parë? A do kishe këto pyetje? A është e vërtetë? Si mund të jetë buka e jetës? Si është kjo punë që kushdo që beson dhe shkon tek Ai nuk do të ketë etje?
Dikush ka thënë: "Premtimi, sado abstrakt të jetë, mbetet premtim!"
Ky premtim është shumë i fuqishëm. Jezusi tha te ungjilli i Gjonit, 8 herë Unë Jam. Dhe ky togfjalësh lidhet me Unë Jam-in, me emrin e Perëndisë. Kuptimi i këtij premtimi këtu është, Jezusi është gjithçka, duke filluar që nga nevoja më jetike që mund të kemi, që është buka dhe uji. Nëse shkojmë dhe besojmë tek Ai, kjo është pikërisht ajo që na duhet.
Pëshpërit një lutje
Perëndi, faleminderit që ti siguron Zot dhe je gjithçka që kemi nevojë. Zot unë do të vij tek ti, do të besoj tek Ti dhe dhe premtimet e Tua. Ti je Zoti që i mban premtimet dhe unë do të kapem fort pas tyre. Lutem dhe besoj në emrin tënd, Amen.