18 Janar

Si mund të dojë Perëndia një hiç si unë?

"Po kush jam unë dhe kush është populli im që jemi në gjendje të të ofrojmë gjithçka në mënyrë spontane? Në të vërtetë të gjitha gjërat vijnë nga ti, dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote."
1 Kronikave 29:14

Me siguri ti mendon se ka gjithë ata njerëz në botë dhe ka shumë gjëra të mëdha që po ndodhin në vende të ndryshme. Po ndodhin protesta, po vriten njerëz nëpër aksidente, luftëra ka plot, pandemi, uri, sëmundje... Ka drejtues në nivele botërore për çdo komb, kush jam unë në gjithë këtë botën e madhe që Zoti ta ketë mendjen tek unë? Si mund të më njohë mes një morie kaq të madhe njerëzish?

Nëse ke patur këto mendime apo ndjenja, nuk je vetëm sepse këtë tha Mosiu kur Perëndia e thirri për të bërë diçka të madhe për të drejtuar dhe çliruar popullin e Izraelit: Por Moisiu i tha Perëndisë: "Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe t`i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?". Eksodi 3:11. 
Kush jam unë? Unë jam një hiç. Kush qenkam unë që të dal përpara Faraonit, mbretit dhe njeriut më me influencë në atë kohë? Gjithashtu edhe mbreti David tha të njëjtën gjë te 1 Kronikave kur po mblidheshin për të adhuruar në tempullin e Perëndisë. Kush jam unë? Kush jemi ne? Në kemi arritur ca gjëra në jetë, por edhe ato Ti na i ke dhënë... Perëndi si mund të duash një hiç si unë? 

Pikërisht për atë "hiç" që ti mendon, Perëndia dërgoi Birin të vdesë në kryq për mëkatet e atij "hiçi" në mënyrë që ai "hiçi" të ketë jetë të përjetshme... Pra nëse mendon se je një hiç dhe nuk të do askush, kujtohu që Perëndia të do shumë... 

Pëshpërit një lutje:
Perëndi faleminderit që më do kaq shumë. Faleminderit që më do siç jam dhe ti do të më përdorësh edhe pse unë mendoj se nuk vlej fare. Perëndi, faleminderit që më jep vlerë edhe kur unë ndihem si një "hiç" në këtë botë të madhe. Zot lutem që do ta nis ditën duke menduar se Ti do të më përdorësh dhe nuk ka rëndësi ajo që mendoj unë për veten apo çfarë të tjerët mendojnë për mua, por e rëndësishme është ajo që Ti mendon për mua... Faleminderit Perëndi... 



Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>