5 Tetor

Si Ta Ndaj Dashurinë Perëndisë?

Uroj që Grimcat e kësaj jave kanë kujtesë e bukur e dashurisë së Perëndisë. Cila ishte radha hyjnore: së pari Perëndia është dashuri, së dyti e pranoj këtë dashuri pakusht, së treti e ndaj me të tjerët. Si bëhet kjo nga ana praktike, ja 3 ide të thjeshta:

1-Shikoje Ne Sy! Personin që do i japësh dashuri, shikoje në sy. I jep dinjitet dikujt kur e shikon në sy dhe e dallon se çfarë po kalon ai/ajo. Jo, sa për sy e faqe por ta ndjesh atë që po kalon ai person, te familja jote, te puna, te shkolla. Të gjithë kemi rrethin e njerëzve që takojmë çdo ditë, në shtëpi, në punë, shkollë. Të gjithë kemi një vend ku rrimë, punojmë, studiojmë. Të gjithë kemi dhunti, talente, pasione, përvoja, gjëra që mund t’i japim dikujt. Unë nuk mund t’i jap dashuri gjithë botës, por ama mundem për njerëzit në botën time. Mendo për emrat e 3-5 personave që do tu japësh dashuri këtë muaj. Ata që janë te bota jote, lutu për ta, bëj diçka për ta.

Po nga ta di se kë të dua, kujt t’i jap dashuri? 1 Korinstasve 13:4-5 Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq;
Shiko se kush ka nevojë për durim, shiko se me kë duhet të tregohesh i mirë, kush ka smirë, kush do të duket, të bjerë në sy, kush po krehonet, kush sillet ashpër, kush kërkon të sajat, të tijat, kush zemërohet lehtë, kush dyshon çdo gjë. Këto janë shenjat që ai personi, ka nevojë për dashuri.

2-Bëj Diçka Për Dikë. E gjete se kush ka nevojë për dashuri, tani bëj diçka. 1  Pjetrit 4:10 Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë.
Perëndia të ka pajisur, të ka dhënë gjëra, hir, dhunti, talente, të ka bërë të aftë për shumë të tjera. Për të bërë diçka për dikë.      
Shikoje ndryshe veten kudo që të jesh, nuk je rastësisht aty, pyet: Perëndi a ka diçka që mund të bëj, a mund të ndihmoj dikë? Ka shumë nevoja rreth e qarke teje, shiko për dikë që ka…
Nevoja fizike (ndihmo dikë në nevojë…)
Nevoja emocionale (ji shok, mik për dikë, dëgjoje, lutu…)
Nevoja shpirtërore, mos ji i padukshëm, le ta dinë njerëzit te bota jote që ti je ndjekës i Krishtit. Që kur të kenë pyetje, nevoje për lutje, për 1 Bibël ta dinë kujt t’i thonë. Ndaj dëshminë e jetës tënde, si e njohe Jezusin, ftoji në festimet e ICF Tirana.

3-Tregoja Dikujt, të jetë e dukshme ajo që ke ti. Gjoni 10:10 Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk. -Jezusi

Jetë me bollëk, jetë me entuziazëm, jetë me gëzim. Kjo lloj jete duket dhe tregoja dikujt entuziazmin, gëzimin në Zotin. Le të bëhen kuriozë njerëzit, çfarë ke ti një gjë ndryshe? Sepse ai kuriozitet do të krijoje uri për të ditur më shumë, uria do të krijoje pyetje dhe mundësi për të folur dhe për të ndarë me dikë dhe ti do të jesh duke folur duke dhënë dashuri ndaj dikujt, duke jetuar me entuziazëm, duke qenë dëshmi e gjallë.

Dhe e di çfarë ndodh pastaj? Si thënia e nënë Terezes: Unë jam një laps i vogël në duart e Perendise, i cili po i dërgon botës një leter dashurie. -Nënë Tereza

E përjetofshim fuqishëm, që Perëndia është dashuri, ajo dashuri pa kushte na mbushtë zemrat përditë dhe Fryma e Shenjtë të na mësojë përditë sesi ta ndajmë, si t’i shkruajmë përditë “letra” dashurie njerëzve në botën tonë. Amen!


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>