Si ndodh kalimi nga familje e dëmtuar, në familje e bekuar, familje për së mbari? Për shkak se familja e parë u dëmtua nga mëkati, çdo familje pas tyre vuan pasojat e mëkatit. Por ama të gjithë dëshirojmë që të kemi familje për së mbari. Dua që të të nxis t’i ndjekësh grimcat e kësaj jave sepse te kjo gjë do të fokusohemi.
Katër fazat e një jete, familje do t’i lidh me një nga historitë më të bukura të Biblës; Luka 15, historia e djalit planprishës dhe do të shikojmë sesi mund të kalojmë nga një jetë e dëmtuar, në anën tjetër, në një jetë për së mbari. Le të shikojmë sesi maturohemi ne si njerëz, maturohet lidhja, maturohet çifti, maturohemi si të krishterë. Le të shikojmë katër fazat; ja e para për sot:
Më Jep Mua! Këtu fillon çdo njeri, çdo fëmijë, çdo besimtar i ri, çdo lidhje, çdo martesë e re; më jep mua, është e imja, e dua për vete… . Ja ta shikojmë te historia Luka 15:12 Më i riu i tyre i tha babait: "Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon". Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë. Më jep mua pjesën time.
Çdo fëmijë kështu fillon: më jep mua, më jep mua. Të gjithë e fillojmë në këtë fazë. Edhe nga ana frymërore, kur dikush bëhet besimtar i ri, këtu e fillon. Perëndia e di që ne jemi si fëmijë frymërorë dhe nuk mërzitet me ne.
A mërzitet një prind kur fëmija i vogël qan sepse do shishen me qumësht? Jo! Sepse prindi nuk pret gjë nga fëmija. Ai pret vetëm që të ushqehet sa më shpesh dhe të rritet sa më mirë dhe i shëndetshëm. Edhe Perëndia nuk mërzitet me ne, kur jemi në fazën e besimtarit të ri, ku kemi nevojë të “ushqehemi” dhe të rritemi.
Shiko, ndoshta kjo do të ngjajë pak e çuditshme. Por çdo njeri zgjedh t’i besojë Jezusit sepse shikon që mund të perfitojë diçka, mund të marrë diçka nga Ai. Shpetohemi sepse u treguam egoistë, për të marrë diçka nga Ai.
Dikush zgjedh Jezusin sepse nuk do që të përfundojë në ferr. Një tjetër zgjedh Jezusin sepse do që ta rregullojë jetën dhe rrëmujën që ka bërë me të. Pra, shpesh njerëzit shpetohen për shkak të kësaj mendësie; Jezus më jep mua, më jep falje, shërim, drejtim, më jep mua. Rrallë ose asnjëherë ndodh që dikush të thotë që dua t’i besoj Jezusit sepse sapo të besoj do të bëj namin për Atë. Madje do të shkoj në Kinë të ndaj lajmin e mirë me çdo kinez. Jo jo, përgjithësisht ndodh sepse duam diçka nga Jezusi, prandaj shpëtohemi. Por kjo nuk e mërzit Perëndinë. Ai e di që jemi foshnja në besim dhe na jep çdo gjë që ka. Madje thuhet te Shkrimi që Pali e bën lidhjen kur flet me kishën e Korinthit: Ju jeni akoma fëmijë, por tani duhet të ishit rritur, tani duhet të ishit mësues, të mësonit të tjerët, mjaft ke pirë qumësht, fillo të hash mish, gjëra të forta.
Pra, të gjithë në fazën "Më Jep Mua" e fillojnë si fëmijët fizikë dhe fëmijet frymërorë.
E njëjta gjë është edhe me martesën. Fillon me fazën e parë, më jep mua.
Burri thotë: Prandaj u lidhja vëlla, prandaj u fejova, prandaj u martova që gruaja ime të m'i plotësojë nevojat e mia. Nga ana tjetër…
Goca/Gruaja thotë: Prandaj u lidha moj motër, u fejova, u martova që burri të plotësojë nevojat e mia.
Dhe shiko, ka shumë nevoja që burri dhe gruaja ia plotësojnë njëri - tjetrit. Por ka disa nevoja që vetëm
Perëndia mund t’i plotësojë. Nëse pret nga partneri që të plotësojë nevojat që vetëm Perëndia mund t’i plotësojë, behu gati për zhgënjim.
E sigurt që në familjet tuaja shumica keni nipër—mbesa, disa kanë fëmijët në moshën e vogël dhe e dallon që ata duan veç për vete dhe s'kanë të ngopur.
Ti sa ua ke dhënë diçka, në momentin që shikojnë se mori ai tjetri diçka, e duan edhe atë.
Është normale, sepse janë në fazën "Më Jep Mua".
E zemë je ti me mbesën, nipin, po ecni rrugës dhe ndaloni te marketi i lagjes; po e gjete, kush vendos se çfarë do të blejë? Nuk po them kalamajtë, për dikë që është i martuar, por nipër e mbesa. Sepse ato kemi qejf t'i llastojmë. Kalamajtë tanë kemi hall se marrin kot, e mbajmë dorën, kurse me nipërit dhe mbesat e lëshojmë dorën.
Por nëse je duke parë Tv me të, çfarë do të jeni duke parë: Frozen apo Bigbrother?
Kjo është faza e parë dhe është normale në fillimet e jetës fizike si fëmijë shpirterorë, në fillimet e lidhjes, fejesës, martesës. "Më Jep Mua" është faza e parë. Cila është e dyta? Ndiq pjesën e dytë nesër.