Vargu i ditës: "Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t'jua falë edhe juve." Mateu 6:14
E sigurt që mund të kesh patur situata që ka qenë e vështirë të merresh me ca njerëz të caktuar, me disa çështje të caktuara dhe sigurisht duhet shumë fuqi dhe guxim për të falur ata që ndoshta të kanë lënduar me apo pa dashje. Kjo është shumë e vështirë.
Nga ana tjetër ty të pëlqen që kur të thuash më fal, të mos rrish nga mbrapa për javë të tëra për të fituar faljen e dikujt, por ti do që të jesh i falur në atë moment dhe të vazhdosh përpara.
Dikush ka thënë:"Nëse do të falësh, fal dhe harro tani!"
Kjo të bën pak konfuz në fakt sepse koncepti i hirit është që Perëndia të fal dhe ti e merr faljen si dhuratë, por te ky vargu na thotë që Ati do të na falë nëse falim të tjerët. Pra kemi vargje të ndryshme si psh: Ju jeni të shpëtuar nga hiri jo nga veprat që askush të mos mburret, paga e mëkatit është vdekja por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme apo Gjoni 3:16 ku thotë se kushdo që beson në Të nuk do të humbasë por do të ketë jetën e përjetshme. Ashtu si me fëmijët brenda një familje që në një moment janë miqtë më mirë dhe armiqtë më të mëdhenj të njëri - tjetrit, shpesh prindi përpiqet që ata të kultivojnë faljen kur ndodh që zihen me njëri - tjetrin. Por me raste ndodh se ata ndonjëherë bëhen kokëfortë dhe nuk duan të marrin pjesë në këtë procesin e të falurit dhe përballen më pas me pasojat e mosfaljes duke u mërzitur, duke u dënuar apo duke humbur ndonjë nga privilegjet që kishin më parë dhe kjo mund të ftohë marrëdhënien me prindin, por... ata janë akoma fëmijët e atyre prindërve dhe kjo është e pandryshueshme. Kjo është e vërtetë edhe për ne në lidhje me Perëndinë. Ne jemi të shpëtuar nga hiri por Perëndia ka ca rregulla shtëpie, ashtu si çdo shtëpi. Perëndia na thotë që duhet të pajtohemi më parë me ata që jemi zënë. Nuk është se nuk na do apo nuk e kemi sigurinë për jetën e përjetshme, por meqenëse jemi pjesë e kësaj familjeje, një nga rregullat e kësaj familjeje është të falim njëri - tjetrin ashtu si Ati na fal edhe neve.
Pëshpërit një lutje:
Perëndi faleminderit që më ke falur dhe më ke pranuar siç jam. Zot lutem që sot, këtë ditë do ta nis duke falur të tjerët ashtu siç Ti më ke falur mua dhe se do të jap dashurinë Tënde tek njerëzit dhe ata do të kuptojnë se Ti je Zoti dhe Ti je i dashur dhe i mirë. Lutem që kjo ditë të jetë për nderin dhe lavdinë tënde, duke dhënë faljen që kam marrë nga ty Perëndia im. Lutem dhe i kërkoj këto gjëra në emrin Jezus. Amen.