19 Shtator

Krijoje Ti Momentin E Kohës Së Qetë

Vargu i DitësPor ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht. Mateu 6:6 

Perëndia nuk do të flasë nëse ka shumë zhurma rreth e qark teje. Edhe nëse të flet nuk ke për ta dëgjuar. Ke nevojë të jesh vetëm, në një cep të qetë. Prandaj quhet Kohë e Qetë. 

Si tha Jezusi te vargu i ditës, një vend në fshehtësi, në qetësi, ti dhe Zoti. Perëndia dëshiron të takohet, të bisedojë me ty.

Së pari ke nevojë të kuptosh që nuk je ti duke e pritur Perëndinë por Ai po të pret ty. Perëndia na krijoi që ta kemi një miqësi të mirë me të, të jemi të lidhur me të. Ai ka dëshirë të rrijë me ty çdo ditë. Ai do që të “pijë kafe” me ty çdo ditë. Perëndia po të pret.  

Në ditët e sotme është shumë e vështirë për të gjetur një vend të qetë, ka zhurmë kudo që je. Ose ka zhurma makinash, njerëz, lajmërime nga cel, tv, muzikë në sfond kudo që të jesh. Ka shumë pak momente të qeta në një ditë të zakonshme. 

Nëse je prind me fëmijë bëhet akoma më e vështirë. Por, a të jap një ide? Suzana Uesli, një nga gratë shumë të njohura në histori, ajo kishte 18 fëmijë. Një nga djemtë e saj, Xhoni, është themeluesi i kishës Metodiste dhe shpërndau krishtërimin në perëndim të Amerikës. Kurse një djalë tjetër quhej Çarlsi, ai shkroi mbi 6.000 himne (këngë të krishtera). 

Si mund të gjejë kohë të lirë dikush që ka 18 fëmijë? Në librin biografik, që u shkrua për të thuhet se Suzana Uesli ulej te karrigja e saj lëkundëse dhe e mbulonte kokën me një mbulesë për 1 orë. Dhe të gjithë fëmijët e dinin, nëse mami ka mbuluar kokën, nuk duhet ta shqetësojë asnjëri për 1 orë, ndryshe të gjeti belaja po e shqëtësove në atë orë. 

Djemtë e saj thanë, ishin lutjet e nënës tonë që i dhanë drejtim dhe formë jetëve tona. Që i bie, nëse e dëshiron kohën e qetë me Perëndinë, ke për t’ia gjetur anën. Kështu që thjesht ndaje mendjen: Unë do e gjej dhe do e krijoj çdo ditë kohën e qetë për t’u takuar me Perëndinë. 

Pëshpërit një lutje:
O Zot unë kam nevojë për ty Perëndi. Më jep një zemër lutëse si ajo e Suzana Uesli dhe më mbaj pranë vetes. Zot, lutem që sot do të krijoj kohën time, do të kem prioritet kohën me Ty dhe Zot, më fol me anë të fjalës tënde, me anë të heshtjes në kohën time të qetë, aty ku je Ti dhe unë... Zot lutem dhe kërkoj në emrin tënd Jezus, Amen.


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>