Vargu i Ditës: "Më mëso si ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im; Fryma jote e mirë le të më udhëheqë në tokë të shenjtë." Psalmet 143:10
Sa shpesh e dëgjon këtë tog fjalësh: "Më mëso?" Sot jetojmë në një epokë ku të gjithë i dinë të gjitha. Informacioni buçet nga të katra anët dhe nuk është se kemi nevojë për të na mësuar dikush ose të paktën kështu mendojmë ne.
Kërkojmë mësime gjithandej Guru, Indianë, qirinj, shkrime mistike, filozofi të thella etj… Rezultati? Njerëzimi vazhdon të bëjë të njëjtat gjëra që ka bërë që pas rënies edhe pse njohuria është më e madhe. Një shembull që nuk kemi mësuar asgjë nga këto vite dhe nga njohuria shumë e madhe është lufta në Ukrainë. Njerëzimi u kthye edhe njëherë në instiktet e hershme edhe pse pretendon qe di me shume se ç’ka ditur ndonjëhere rraca njerëzore.
Dikush ka thënë: "Ai që tha se ne mësojmë nga gabimet tona, sapo bëri një gabim!"
Kur ne i lutemi për mësim Perëndisë, jemi duke u lutur për një rëndësi jetike. Po lutemi që të na mësojë si ta plotësojmë vullnetin e Tij dhe se Fryma e Tij të na udhëheqë në tokë të shenjtë. Kur lutemi për mësim, jemi të hapur që Perëndia të na korrigjojë dhe të na drejtojë atje ku është më e mira për ne.
Pëshpërit një lutje
Perëndi, faleminderit që je aty për të na udhëhequr dhe për të na udhëzuar. Zot lutem që do të më hapësh zemrën edhe do të më bësh të mësueshëm dhe do të mësoj prej Fjalës tënde. Lutem në emrin Jezus, Amen.