16 Janar

Perëndia më frymëzon të mos dorëzohem!

Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet. Galastasve 6:9


Le të mos heqim dorë dhe të mos dorëzohemi sepse e sigurt që bota të jep qindra mundësi për të hequr dorë. Fillove një gjë, nuk eci, hiq dorë, lëre fare se nuk je për këtë punë. U martove, nuk të pëlqeu, fillon të privohet liria, vijnë përgjegjësitë, sërish heq dorë dhe vazhdon jetën sikur të mos kishte ndodhur asnjë gjë sepse kjo tashmë është trend. Përkushtimi është tejet minimal për shumë gjëra që bëjmë prandaj edhe dorëzohemi shumë shpejt. Të ka vajtur në mendje pse dorëzohesh? Cila është arsyeja? 

Nuk është se nuk je i fortë, nuk është se nuk i ke mundësitë për të bërë gjëra të mëdha dhe të luftosh fort por është mungesa e perspektivës. Ja luftova, po sikur të mos dalë gjë? Sa vite do të humb nga jeta ime? A do të shpërblehen përpjekjet e mia? Po sikur të mos ecë? Po sikur... Po sikur... Dhe mali më pas bëhet i madh edhe gjërat lihen gjithnjë në mes, sepse... Ti mendon dhe vepron sikur të jesh vetëm... 

E njeh apo nuk e njeh Perëndinë, jeta gjithnjë do të jetë e vështirë dhe me sfida dhe nuk ka për të qenë asnjëherë fushë me lule. Por ne le të mos lodhemi duke bërë të mirën. Le të mos dorëzohemi sepse nuk jemi vetëm por në krahun tonë është Perëndia dhe Ai që është me ne është më i fortë se çdo gjë që është kundra nesh. Merr zemër dhe nëse ke diçka që e ke lënë përgjysëm, shty përpara dhe vazhdo të luftosh. Nëse ndjehesh se duhet të nisësh diçka, lutu dhe filloje sepse Perëndia është gjithnjë aty me ty dhe ka premtuar se nuk do të na lërë nuk do të na braktisë... 

Pëshpërit një lutje:
Perëndi të falënderoj që më frymëzon të mos dorëzohem, që më shtyn të hedh edhe një hap më tutje dhe që je pranë meje. Zot, me sfidat që kam sot, lutem që këtë ditë Ti do të më frymëzosh sërish që unë të vazhdoj përpara me guxim dhe të mos dorëzohem. E kërkoj këtë dhe lutem në emrin Jezus, Amen,



Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>