Vargu i ditës: "Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve." Mateu 5:3
Skamja është gjithnjë fjalë e hidhur. Sa herë që na bie rasti ta dëgjojmë, kjo na kujton zinë e bukës, Afrikën ndoshta me shërbesën e palodhur të Nënë Terezës apo edhe realitetin e hidhur të disa familjeve në vendin ku jetojmë... Skamja është e hidhur dhe një plagë për shoqërinë.
Nga ky krahasim kuptojmë se skamja është varfëri ekstreme. Çfarë i duhet një njeriu që është në skamje? Të "përmbushet" nga gjërat që i mungojnë, uria, veshja, etja, financat etj... Kjo është nevojë shumë e madhe dhe shumë aktuale në kohët ku jetojmë dhe është shumë e vështirë që kjo të marrë fund brenda natës. Ka shekuj që organizata të ndryshme po mundohen, por prapë mbetet e vështirë...
Dikush ka thënë: "Skamja do të verë këmbë, për aq kohë sa ekzistojnë njerëzit!"
Por Jezusi në fakt është duke na dhënë një pamje komplet tjetër për skamjen. Të jesh skamës në frymë, është pikërisht ajo që duhet, sepse do të dëshirosh të mbushesh nga Fjala e Perëndisë, do të duash të jesh i mbushur nga Fryma e Perëndisë. Jezusi këtë është duke na thënë: "Të varemi më shumë tek Ai, ta kërkojmë Atë dhe të përmbushemi prej Tij."
Pëshpërit Një Lutje
O Atë lutem që do të kem gjithnjë kërkesën dhe nevojën për të qenë i lidhur me ty, me Frymën tënde Zot, sepse për të kam nevojë dhe ti ke premtuar se e imja do të jetë mbretëria e qiejve për sa kohë jam skamës në frymë. Zot lutem që do të kujtoj se ti je burimi i përmbushjes dhe se ti do të më mbushësh me frymën tënde. Lutem në emrin Jezus, Amen.