Zgjidh të shlodhesh, kemi nevojë të shlodhemi për të marrë energji dhe të japim maksimumin. Dje ishte si hyrje sot dua të ndaj tre meraqe dhe nesër tre hapa praktike.
Le të shikojmë një pjesë nga historia e Danielit kap.5 Aty ndodh diçka e çuditshme, një dorë, nuk dukej trupi vetëm dora, gishtat e dorës shkruajnë diçka në mur, vetëm disa fjalë, ja ta lexojmë bashkë.
Danieli 5:1-2 Mbreti Belshatsar dha një banket të madh për njëmijë nga të mëdhenjtë e tij dhe në prani të të njëmijëve piu verë. Ndërsa shijonte verën, Belshatsari dha urdhër të sillnin vazot prej ari dhe prej argjendi që i ati Nebukadnetsari kishte marrë nga tempulli që ishte në Jeruzalem, me qëllim që me to të pinin mbreti dhe të mëdhenjtë që ishin me të, bashkëshortet e tij dhe konkubinat e tij.
Kjo është koha kur Izraeli u mor me forcë në mërgim nga vendi i tyre, nga Juda, jugu i Izraelit i çuan në Babiloni, Iraku i sotëm. Aty u trajtuan si skllevër për 70 vjet. Perëndia i pati paralajmëruar, më nderoni mua, mos adhuroni idhujt, mos e largoni mendjen nga unë sepse do t’ju ndodhe kjo gjë. Por ata se çane kokën fare dhe ndodhi ajo që pritej të ndodhte.
Tani, ky mbreti Babilonas donte të tallej me ta, dhe thotë më sillni enët që morëm tek tempulli në Jeruzalem, gjasme paskan qenë të shenjta, të pime verë me ta.
Danieli 5:3-4 Kështu prunë vazot prej ari që i kishin marrë nga shenjtërorja e tempullit të Perëndisë, që ishte në Jeruzalem, dhe me to pinë mbreti dhe të mëdhenjtë e tij, bashkëshortet e tij dhe konkubinat e tij. Pinë verë dhe lëvduan perënditë prej ari, argjendi, bronzi, hekuri, druri e guri.
Opaaa, ato ishin perëndi, idhuj të prodhuar nga imagjinata njerëzore, figura të ndërtuara prej tyre. Ata po tallen me Perëndine e qiellit dhe po lavdërojne idhujt e tyre si perëndi, po lavdëronin gjërat që kishin bërë vetë. Dhe kjo e bezdisi Perëndinë.
Shiko, kjo për ne ka kuptimin: Nese ti thua, që Zoti është Perëndia im, por në jetën e përditshme të është ftohur zemra për Perëndinë dhe po lavdëron më shumë mundin e duarve tuaja. Nëse ti nuk njeh pushim po veç punon dhe po lavdëron mundin tënd më shumë, po krijon dhe po lavdëron idhujt, jo Perëndine. Po pastaj???
Danieli 5:5 Në atë çast u dukën gishtërinjtë e dorës së një njeriu, që filluan të shkruajnë përballë shandanit mbi suvanë e murit të pallatit mbretëror; dhe mbreti pa pjesën e asaj dore që shkruante.
Jam kurioz sesi dukej kjo, por ja te vazhdojmë…
Danieli 5:6 Atëherë pamja e mbretit ndryshoi dhe mendimet e tij e shqetësuan; nyjat e eshtrave iu liruan dhe gjunjët e tij filluan të përpiqen midis tyre. Mbreti bërtiti me forcë që të hynin astrologët, kaldeasit dhe shortarët; pastaj mbreti filloi t'u thotë njerëzve të ditur të Babilonisë: "Kushdo që do ta lexojë këtë shkrim dhe do të më japë interpretimin e tij do të vishet me rroba të purpurta, do të ketë një gjerdan ari në qafë dhe do të jetë i treti në qeverisjen e mbretërisë".
Mbreti ngordhi nga frika dhe kërkoi, më gjeni dikë që di ta lexojë dhe ta interpretoje, e dua taniiiii.
Ajo që Perendia u përpoq të thonte atëherë para mijëra vitesh, ka kuptim edhe sot e kësaj dite. Dora që shkroi në mur, ka një mesazh për ne sot. Disa nga ne po lodhen me shume se c’duhet. Disa nga ne po e flene mendjen me shume se c’duhet.
Si ta gjejmë balancën e duhur, kur punojmë japim maksimumin por kur pushojmë, pushojmë me gjithë mend.
Ne statistika thuhet se personat mesatare po punojnë më shumë orë pune se më parë. Dhe ata që po punojnë shumë, shumica janë të rraskapitur. Në 10 persona thotë statistika,7 po punojmë më shumë se 8 orë në ditë.
A u bë njeri kurioz, çfarë u shkrua në mur? çfarë shkroi dora? Ja ta lexojmë bashkë:
Danieli 5:25 Ky është shkrimi që u vizatua: MENE, MENE, TEKEL UFARSIN.
Çfare kuptimi ka? Ata se dinin kështu që i kërkuan Danielit, hajde na e interpreto. Është ky djaloshi që kemi marrë në mërgim, ai di si të interpretoje profecitë. Shkuan e morën, e sollën para mbretit. I veshën rroba të purpurta, ai tha jo, nuk i dua. Sepse vetëm Perëndia adhurohet, jo njeriu.
Ja kuptimi. Danieli 5:26 Ky është interpretimi i çdo fjale: MENE: Zoti ka bërë llogarinë e mbretërisë sate dhe i ka dhënë fund.
Ky eshte paralajmerimi i parë për secilin prej nesh: Le t’i kujtojmë vetes se ditët tona janë të numëruara! Jetojmë sikur s’do të vdesim, vdesim sikur s’kemi qenë asnjë ditë këtu.
Meqë kanë filluar shkollat dua ta ilustroj me diçka shkolle. Duke e ditur që prinderit deri 18 vjec i kanë fëmijët në shtëpi, pastaj shkojnë nëpër shkolla të larta dhe shumica larg prindërve. Një baba mori një ene qelqi, si ato të turshive dhe e mbushi me zare të vogla që përfaqësonin javët që djali i tij do ishte në shtëpi, nga klasa e parë deri në klasë të 12 i bie 624 javë. Dhe çdo fundjavë hiqte një zar nga kavanozi i madh. Për t’i kujtuar vetes, kalo kohë me djalin se nuk do e kesh përgjithmonë në shtëpi. Ky ishte burrë i zgjuar. Bibla thotë, nëse s’jemi të mençuar, do të hutohemi dhe do na ikë koha.
Siç e tha Jobi:Jobi 9:25 Tani ditët e mia kalojnë më shpejt se një vrapues, ikin pa parë asnjë të mirë. Ka një anë negative kur vrapon, të ikën e mira, nuk shikon gjërat e mira që po bën, vrapi ta vjedh gëzimin.
Moisiu e tha kështu te Psalmet 39:4 O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.
Kur je i ri, as që do ta kalosh nëpër mend këtë gjë, duket sikur e gjithë bota dhe e gjithë koha është në dorën tënde. Por një grip të bie dhe ndihesh i pa-takatshem, i brishtë. Si more një grip me ra dhe nuk qëndroj në këmbë? Sa i brishtë qenkam?
Le të vlerësojmë çdo ditë dhe duke e ditur, që kanë një limit. Nuk jemi të përjetshëm këtu në tokë. Përjetësia është në qiell. Le të jemi falenderues për çdo ditë dhe ta shijojmë çdo ditë.
Paralajmërimi i dytë është te fjala Tekel. Danieli 5:27 TEKEL: ti u peshove në peshoret dhe u gjet që të mungonte diçka.U peshua dhe mungonte diçka, ka kuptimi, që anon peshorja në një anë.
Kjo është kujtesë për ne që … Jeta del nga balanca shumë kollaj! Ne themi, po unë e
dua familjen, e dua shkollën, e dua kishën, e dua kohën me Zotin, e dua këtë e atë, e atë. Por a pasqyrohet, a e tregon një javë normale, që vlerat e tua po i jeton? Apo janë vetëm fjalë të bukura?
Ja të them ca gjera, sa kohë kalojmë në gjëra që nuk janë dhe aq të nevojshme. Në një jetë mesatare kalojmë:
6-11 vite duke parë TV (ose media socile)
3-5 vjet duke pritur diçka, kafen, pritur ne radhe, autobuzin, ashensorin, dikë…
1 vit duke gjetur gjërat që nuk janë në vendin e duhur.
2 vjet duke bërë selfie, do kohë për të bërë selfie?
Dhe vetëm këto janë sa ¼ e jetës tonë (gati 20 vite)
Ideja është, jeta jonë po nuk jemi të vëmendshëm dhe të qëllimshëm, ka për të dalë jashtë balance, ka shumë gjera që do ta vjedhin kohën dhe përmenda shumë pak. Ji i qëllimshëm, ku po e shpenzon kohën?
Paralajmerimi i tretë nga Danieli. Ndarja. Nëse nuk i vë në vije këto dy të parat, “mbreteria” jote, jeta jonë do të na ikë, do të harxhohet.
Danieli 5:28 PERES: mbretëria jote u nda dhe iu dha medasve dhe persianëve.
Le t’i kujtojmë vete, se: Nje jete e pa menaxhuar mireëgjithmone do të na kushtojë diçka.
Diçka që ti s’do të doje të kishte ndodhur. Dhe në lidership ose në familje ose në çift ose të femijët ose jeta personale. Nuk e kuptojmë që po na dëmton ajo që po bëjme sot, themi, po hajt se gjë e vogël është…
Derisa bëhet dëmi dhe e kupton, nuk kthehet më mbrapa kjo gjë, është shumë vonë, e kam neglizhuar për shumë kohë.
Të bëj një krahasim me ato sëmundjen e këqija, tumori, kanceri, nuk i kupton kur janë në fazën e hershme. Sepse po e kape në fazën e hershme kurohet më lehtë, por është vështirë për ta kuptuar ama. E kundërta, kur kuptohen me vonesë është shumë e vështirë për t’a shëruar.
Ajo që dua t’i them dikujt sot është: Edhe nëse nuk e shikon dëmin sot, nuk e ndjen që ka ndonjë të keqe sot, shikoje jetën me imtësi, sepse ti do që ta kapësh tek faza një problemin që ta rikuperosh herët.
Të njëjtën gjë na tha Jezusi te Luka 21:34 Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit (shfrenimet), nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi.
Mos e lër që jeta të dalë jashtë balance, sille në balance atë që të ka dalë jashtë saj.
Po mirë, kur qenka kështu, çfare të bëjmë? Vazhdon nesër me tre hapa praktikë sesi të pushosh siç duhet dhe të jesh plot energji.